Κυριακή, 29 Απριλίου 2018

FJALA E PATRIKUT TE RUSISE KIRILL GJATE LITURGJISE HYJNORE

Fjala e Fort të Shenjtit Patriark të Moskës dhe të gjithë Rusisë Kirilit
gjatë Liturgjisë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”

Tiranë, më 29 prill 2018

Fortlumturia Juaj,
vëllezër fort të nderuar kryepiftërinj, etër fort të ndershëm,
të dashur vëllezër dhe motra!

Sot, me kryerjen e Eukaristisë Hyjnore dhe me lutjen e përbashkët, ne së bashku me të gjithë Kishën e Shenjtë Orthodhokse vazhdojmë kremtimin e Pashkës së Shenjtë. Në këtë ditë të diel Kisha na ofron si një këshillë një pjesë nga Ungjilli, e cila tregon se si Shpëtimtari e shëroi të paralizuarin, pjesë kjo që mund të duket se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Ngjalljen e Krishtit. Shpëtimtari shëroi një njeri i cili vuante për tridhjetë e tetë vjet prej një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme, që është paraliza. Duke folur me Krishtin i sëmuri as nuk i kërkoi atij ndihmë: ky njeri fatkeq vazhdonte të shpresonte në mrekullinë e Zotit, por as nuk kishte fuqi t’ia kërkonte. Dhe në pafuqinë e tij absolute ai mori papritur atë që priste.
Shërimi i mrekullueshëm është ripërtëritja e natyrës së dëmtuar njerëzore, është shfaqja e lavdisë hyjnore tek njeriu. Kisha e ka mendjen sot tek ngjarjet e Pashkës dhe po i rikujton ato. Shërimi është triumfi, edhe pse i pjesshëm dhe i përkohshëm, ndaj prishjes, vuajtjes dhe vdekjes, domethënë është në njëfarë kuptimi prototipi i Ngjalljes. Leximi i Ungjillit për shërimin e të paralizuarit duhet të na kujtojë se Ngjallja e Krishtit është mjekim, është një mjet për të shëruar botën tonë të vdekshme, të goditur nga paraliza e mëkateve dhe të shkëputur nga Zoti.
Ngjallja është ndryshimi më i mbinatyrshëm i natyrës njerëzore që mund të imagjinohet. Njeriu është mësuar të besojë që jeta e tij është e shkurtër dhe ka fundin e saj të pashmangshëm. Kur Apostull Pavli tentoi të fliste në Athinë, pra në kryeqendrën e dijes greke, për ngjalljen e të vdekurve, filozofët atje e përqeshën: Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë (Veprat e Apostujve 17:32). Për një intelektual pagan të asaj kohe ishte diçka e paperceptueshme se si njeriu, kjo kokrrizë e vogël rëre në hapësirën e pakufishme kozmike, mund të tejkalonte një ligj kaq themelor të natyrës siç është vdekja.
Apostull Pavli thotë: Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, i cili për Judenjtë është skandal, edhe për Grekët marrëzi (1 Kor. 1:23). Për filozofët besimi i krishterë në mëshirën e pakufishme të një Hyjnie ndaj njeriut, dukej i pakuptueshëm. Nga pikëpamja e tyre, Hyjnia duhet të ishte pafundësisht e përsosur, dhe në përsosurinë e Saj, pafundësisht e largët nga dobësia dhe dhimbja njerëzore. Kjo bindje u hodh poshtë nga fjala e Ungjillit për Zotnjeri Krishtin, i cili u kryqëzua, vdiq dhe u ngjall për hir të shpëtimit tonë. Kjo fjalë e Ungjillit përbën një bazë, një themel të palëkundshëm të besimit tonë në pakufishmërinë e mëshirës së Zotit për racën e rënë njerëzore. Nëse nuk u ngjall Krishti, predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj i kotë (1 Kor. 15:13).
Sapo dëgjuam edhe leximin e Veprave të Apostujve të Shenjtë, të cilat tregojnë se si Apostull Pjetri e ngjalli Tabithën, një grua e drejtë dhe perëndidashëse, sipas lutjeve të të gjithë atyre që u mbushën me të mira prej saj kur ajo ishte e gjallë. Kjo histori më sjell ndërmend historinë e Kishës së shumëvuajtur Shqiptare. Ajo i ka shërbyer ndër shekuj popullit të saj në kushte më të vështira. U shkatërrua pothuajse plotësisht gjatë viteve të frikshme të përndjekjeve ateiste dhe u ringjall sërish për të kryer shërbimin e saj ndaj njerëzve, me ndihmën e Zotit dhe me forcat e reja. Madje, kjo katedrale e mrekullueshme “Ngjallja e Krishtit”, si edhe vetë emri i Fortlumturisë Tuaj, Anastas, janë të lidhur me fatin e jashtëzakonshëm të Kishës tuaj. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është me të vërtetë Kisha e Ngjalljes së Krishtit.
Ngjallja për ne është triumfi ndaj së keqes në këtë botë dhe fitorja e dukshme ndaj saj. Besimi në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur hap një rrugë për t’u përballur në mënyrë më të efektshme me të keqen, por në një përballim paqësor dhe të dhembshur ndaj njerëzve. Fuqia dhe trimëria e të krishterëve nuk qëndron tek agresioni apo tek etja për hakmarrje, por qëndron tek dëshmia e butë dhe e vazhdueshme për të vërtetën në çdo rrethanë, si edhe tek gatishmëria për t’i shërbyer gjithmonë kësaj të vërtete.


Martirizimi i krishterë nuk është thjesht vdekje heroike në luftën për bindjet e veta: para së gjithash, është një akt dhembshurie ndaj të humburve. Ne themi se me vdekjen e tyre martirët dëshmojnë për Krishtin. Rruga e një martiri është një pëpjekje për të ndrequr, qoftë edhe me çmimin e jetës së vet, të pavërtetën njerëzore dhe për të shëruar verbërinë shpirtërore të të afërmve me anë të dritës së së Vërtetës Hyjnore.
Në këtë mënyrë mbijetuan edhe Kishat tona në kohën e persekutimeve të tmerrshme ateiste të shekullit XX: me zemërbutësinë dhe me të vërtetën e dëshmisë së tyre ato i kapërcyen dhe i mundën vdekjen dhe vuajtjet e kësaj bote të rënë. Martirizimi i krishterë nuk është vdekje, por tërësisht e kundërta e saj: është triumfi i jetës së vërtetë.
Edhe shërbimi i Kishës ndaj njerëzve është pjesë e kësaj dëshmie, pjesë e aktit të saj heroik konfesor këtu, në tokë. Më kujtohet se çfarë përpjekjesh të mëdha ndërmori Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nën udhëheqjen e Fortlumturisë Tuaj gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, duke i pritur të gjithë refugjatët pa dallim feje dhe bindjesh politike. Bota orthodhokse ishte e habitur se si me forcat kaq modeste u bë një punë kaq e jashtëzakonshme. Kisha është e pafuqishme t’i parandalojë të gjitha mjerimet dhe fatkeqësitë të cilat vullneti i keq njerëzor i sjell në këtë botë. Por, të keqen dhe vdekjen ajo mund t’i kundërshtojë me armën e saj të vetme dhe të pathyeshme, që është dashuria dhe dhembshuria për të gjithë racën njerëzore.
Shën Kozmai i Etolisë i barabartë me Apostujt, i cili ka predikuar dikur në këtë tokë dhe ka vdekur këtu me një vdekje martiri nga duart e njerëzve të një besimi tjetër, në këshillat e tij thotë fjalët e mrekullueshme: “Perëndia i Tërëmirë dhe i Shumëmëshirshëm ka emra të shumtë dhe të ndryshëm. Quhet Dritë, Jetë, Ngjallje. Por emri i Tij kryesor është Dashuri”. Dashuria e Krishtit na jep jetë, dhe aty ku është ajo nuk ka vend për vdekje.
Dëshiroj të falënderoj Fortlumturinë Tuaj për ftesën dhe për këtë mundësi për të zhvilluar një lutje të përbashkët me Ju dhe me të gjithë Kishën e Shenjtë të Shqipërisë. Paqja dhe dashuria për Krishtin qofshin me të gjithë ne. Zoti e ruajt Kishën tuaj të Shenjtë dhe grigjën e saj të përshpirtshme!